Në Elbasan ka përfunduar investimi i cili garanton furnizim me ujë të pijshëm pandërprerje për afro 60% të qytetit. Projekti përfshin rehabilitimin e dy depove ekzistuese si dhe ndërtimin e një depoje totalisht të re. Gjithashtu është bërë e mundur shtrimi i linjave të reja, instalimi i matësave si dhe janë realizuar lidhjet e reja familjare. Përmes sistemit SCADA bëhet e mundur monitorimi në distancë i rrjetit të ujësjellësit dhe stacioneve të pompimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi , së bashku me drejtoreshën e AKUK, Elidiana Çelaj inspektuan punimet e realizuar në këtë projekt i cili është pjesë e programit “Infrastruktura Bashkiake V”.
Krahas përmirësimit të cilësisë së shërbimit që ju ofrohet qytetarëve, investimi ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e performancës dhe të treguesve financiarë të kompanisë.
“Ne kemi tashmë në nivel arkëtimi mbi 100%, jemi në nivelin rreth 105%, pra jo vetëm që mbledhim detyrimet aktuale të ujësjellësit, por mbledhim edhe debinë e viteve të shkuara. Ne e dimë që problematikë e theksuar ka qenë pjesa e pagesave të ujësjellësit. Po ashtu element tjetër i rëndësishëm që jep frytet e veta është që tashmë edhe ujësjellësi i Elbasanit paguan 100% të gjitha faturat e energjisë elektrike, të cilat deri në vitet e shkuara konsideroheshin me shumë probleme”, u shpreh Karakaçi.
Këto investimet garantojnë ulje të humbjeve si dhe rritje të arkëtimeve duke krijuar mundësi për të çuar përpara projekte të cilat ju shërbejnë qytetarëve. Për ujësjellësin e Elbasanit janë parashikuar investime të tjera, bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat përkojnë me efiçencën e energjisë dhe që do të ndikojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe për pasojë edhe në uljen e shpenzimeve.
“Ne vijojmë përsëri dhe në buxhetin e vitit 2026 të AKUK të kemi edhe investime të tjera në Bashkinë e Elbasanit dhe për ujësjellësin e Elbasanit, siç është ai për efiçencën e energjisë në mënyrë që të ulim konsumin e energjisë, i cili një pjesë e madhe e tij është me stacion pompimi, duke bërë dhe rritjen e konsumit të energjisë”, nënvizoi ministri Karakaçi.
