Besfort Lamallari ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të rrezikshme dhe shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ministri theksoi se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë më sjellje të tilla, duke shtuar se shkelësit do të përballen me ndëshkime sipas legjislacionit në fuqi.
Lamallari nënvizoi se, përveç patrullave në terren, policia po përdor gjithnjë e më shumë teknologjinë për monitorimin e rrugëve, duke bërë të mundur identifikimin në kohë reale të shkeljeve.
Ai paralajmëroi drejtuesit e mjeteve se nuk mund t’i shmangen kontrollit, duke theksuar se çdo veprim i rrezikshëm në timon mund të ketë pasoja serioze për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, dhe si i tillë do të ndëshkohet.
