Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se Shqipëria pritet të marrë javën e ardhshme vendimin për dërgimin e oficerëve të shtabit në Gaza, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të vendit.
Gjatë një deklarate për mediat, ministri theksoi se ky angazhim vjen si pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka marrë ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Javën që vjen do të marrim vendimin. Shqipëria ka marrë një angazhim dhe ai lidhet me faktin që do të dërgojmë oficerë të shtabit në Gaza. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave. Kemi bërë një shqyrtim të rrethanave në Gaza dhe do të dërgojmë oficerët e shtabit”, u shpreh ministri.
Nufi foli edhe për mundësinë që Shqipëria të presë një Samit të NATO-s, duke sqaruar se vendimi përfundimtar nuk merret nga një shtet i vetëm, por nga të gjithë krerët e vendeve anëtare të Aleancës.
Sipas tij, aktualisht është parashikuar që samiti të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, por kjo mbetet në varësi të vendimmarrjes së liderëve të NATO-s.
“Samiti i NATO-s është vendosur që do të zhvillohet në Shqipëri. Në lidhje me zhvillimin e samiteve, vendimet merren nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në vitin 2027 ose jo, kjo është një çështje që do të vendoset nga krerët e shteteve anëtare”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
