Ministria e Arsimit ka bërë publik kalendarin zyrtar për vitin shkollor 2026-2027, duke përcaktuar datat e fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor, periudhat e pushimeve dhe zhvillimin e provimeve kombëtare.

Sipas kalendarit të miratuar, viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator 2026, kur nxënësit në të gjithë vendin do t’u rikthehen bankave të shkollës pas pushimeve verore.

Për maturantët, procesi mësimor do të përfundojë më 4 qershor 2027, për t’u lënë kohë përgatitjeve dhe zhvillimit të Provimeve të Maturës Shtetërore.

Ndërsa për nxënësit e klasave të tjera, viti shkollor do të mbyllet më 18 qershor 2027.

Sipas Ministrisë së Arsimit, kalendari përfshin gjithashtu periudhat e pushimeve shkollore, organizimin e procesit mësimor gjatë vitit dhe afatet për zhvillimin e provimeve kombëtare.