Ministria e Brendshme ka dhënë informacione rreth situatës së krijuar ditën e sotme nga zjarret në të gjithë vendin. MB informon se si pasojë e shfaqjes së disa vatrave të reja dhe riaktivizimit të disa të tjerave, rezultojnë 21 vatra aktive zjarresh në të gjithë vendin.
Në zonën verilindore dhe në Malin e Dajtit, edhe gjatë ditës së sotme, forcat e PMNZSH-së, atyre të Armatosura dhe Shërbimit Pyjor, kanë vijuar operacionet. SHPFA ka vijuar të ketë në terren mbi 400 efektivë, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe atyre të Shërbimit Pyjor. Gjatë ditë së sotme, operacionet nga ajri, sërish nuk kanë qenë të mundshme për shkak të kushteve atmosferike dhe reve të tymit mbi vatrat e zjarreve. gjatë ditës së nesërme sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik pritet përmirësim i mundshëm i vizibilitetit, çka do të krijojë mundësi për rifillimin e operacioneve nga ajri, informon Ministria e Brendshme.
Në lidhje me situatën në të gjithë vendin, informohet se në qarkun e Dibrës ka ende 4 vatra zjarri aktive, në qarkun Elbasan ka ende 2 vatra zjarri aktive, në Korçë ka 3 vatra aktive zjarri, në qarkun Kukës ka 3 vatra aktive zjarri, në Shkodër ka ende 6 vatra aktive zjarri, në Pukë ka 3 vatra aktive zjarri, dhe në qarkun Lezhë ka ende 2 vatra aktive zjarri.
31 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)