Ministria e Mbrojtjes bën me dije se sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), gjatë javës priten reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në zona të caktuara me reshje dëbore.

Ditën e Hënë, 17 Nëntor 2025, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta. Intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites.

Ditën e Martë, 18 Nëntor 2025, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.

Në Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.

Ditën e Mërkurë, 19 Nëntor 2025, parashikohen reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet e tjerë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

Ditën e Enjte, 20 Nëntor 2025, pritet ulje e intensitetit të reshjeve. Në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjerë të dobëta. Reshje dëbore dhe ngrica

Në zonat mbi 400 m lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Sipas parashikimeve të fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin reshjet e pritshme arrijnë deri në:

  • Fierzë: 150–200 mm
  • Koman – Vau i Dejës: deri në 300 mm

Strukturat e emergjencave civile do të përditësojnë publikun vazhdimisht mbi situatën në terren dhe mbi çdo zhvillim të ri që lidhet me motin dhe nivelin e riskut.