Pas refuzimit për prononcim të Ministres së Mbrojtjes, zonjës Olta Xhaçka, për rastin “Graceni”, kërkuar zyrtarisht, gazeta “Shqip” ndërmori një hap tjetër.


Në datë 18 shtator 2020 gazeta “Shqip” i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me çështjen e Aldo Gracenit dhe manipulimit të konkursit zhvilluar për një bursë të plotë studimi, në degën Mjekësi Ushtarake, në Akademi Ushtarake Greke.


Përmes saj, i parashtruam kërkesën, që të na vihej në dispozicion, i gjithë dokumentacioni, i përpiluar nga ana e ministrisë, dhe sqarim i detajuar, në lidhje me procedurat e ndjekura, për përzgjedhjen e fituesit të konkursit, zhvilluar në Qendrën e Personel Rekrutimit, në datat 15-16 korrik 2020.


Gazeta “Shqip” i drejtoi dikasterit të Mbrojtjes këto pyetje:



1. Cilat janë kriteret e konkursit? 
2. Cila është baza ligjore, ku është mbështetur zhvillimi i konkursit? 
3. Cilat janë kriteret e ngritjes së Komisionit të Vlerësimit?
4. Sa ishte numri i pjesëmarrësve, mbi ç’kritere u zgjodh fituesi? 
5. Kush e financon bursën dhe sa është shuma e burses, për çdo vit studimi? 
6. Cila është praktika e shpalljes së konkursit? 
7. A ka bërë ndonjë prej pjesëmarrësve në konkurs, ndonjë ankesë, për padrejtësi në vlerësim? Cila ka qenë vendimmarrja pas shqyrtimit të ankesës? 



Prej datës 18 shtator 2020 deri më sot, kanë kaluar te gjitha afatet ligjore, për kthim përgjigje, parashikuar në ligjin për të Drejtën e Informimit 119/2014.


Ashtu si me rastin “Graceni” për të cilin gazeta “Shqip” ka investiguar dhe treguar me prova, se Ministra e Mbrojtjes manipuloi listën, me fituesit e bursave të NATO-s, edhe kësaj herë, kjo ministri vazhdon të shkelë një tjetër ligj, atë për të Drejtën e Informimit.


Në mungesë të një përgjigje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, gazeta “Shqip” depozitoi në datë 13 tetor 2020, pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, një ankesë nr. 1237 Prot., me objekt “Ankim ndaj refuzimit për dhënie të informacionit dhe kopje të dokumenteve zyrtare”. 




Në përgjigjen e kthyer nga ana e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, nr. 1237/1 Prot., thuhet se informacioni i kërkuar, në parim është informacion publik.



Autoriteti Publik (Ministria e Mbrojtjes) detyrohet sipas nenit 12, 14 dhe 16 të ligjit, të informojë ankuesen, lidhur me kërkesën e saj, ose ta dërgojë atë pranë autoritetit kompetent, në rastet kur nuk e zotëron informacionin, duke vënë në dijeni edhe kërkuesen. Në rast të kundërt, ky mosveprim konsiderohet kundërvajtje administrative dhe në përputhje me nenin 18/2/a/ë/g të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, a) Refuzimi i dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë. ë) Mosdërgimi i kërkesës për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afatit të parashikuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë, g) Mosnjoftimi i kërkuesit, se kërkesa e tij i është dërguar një autoriteti tjetër dhe kontaktet e nevojshme i janë dërguar autoritetit tjetër, në kundërshtim me parashikimet e pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë.



Në paragrafin e fundit të shkresës thuhet, se Komisioneri kërkon të trajtoni kërkesën dhe të vlerësoni dhënien e informacionit të kërkuar, brenda datës 21 tetor 2020. 


Në rast mosveprimi nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes brenda këtij afati, Zyra e Komisionerit do të vlerësojë mbi ndjekjen e procedurës së mëtejshme, në përputhje me nenet 18 dhe 24 të ligjit nr. 119/2014.


Afati skadoi më datë 21 tetor 2020, dhe gazeta “Shqip” nuk ka marrë asnjë informacion nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, për rastin “Graceni”. Kjo gjë i jep të drejtë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, të vlerësojë mbi ndjekjen e procedurës së mëtejshme në përputhje me nenet 18 dhe 24 të ligjit për të Drejtën e Informimit.