Terapi speciale nga 350 në 750 euro
Ndër shërbimet më të kushtueshme në klinikat dhe spitalet private është terapia intensive, reanimacioni, por edhe dhoma e shtrimit me kushte dhe ambiente specifike, me staf të posaçëm dhe kushte të veçanta. Këto trajtime dhe mbajtja e pacientëve në të tilla dhoma shtrimi, sipas familjarëve që kanë shtruar të afërmit dhe e kanë provuar, kushton nga 350 në 750 euro.
Jopublikët nuk i raportojnë statistikat dhe nuk deklarojnë të ardhurat
Lorina Mixha
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Statistikave nuk ka asnjë bazë të dhënash për numrin e ndërhyrjeve, operacioneve, trajtimeve që bëhen nga mjekët në spitalet dhe klinikat private.
Po ashtu, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka një bazë të dhënash të saktë për statistikat dhe të ardhurat e subjekteve private për të gjitha trajtimet, vizitat, kurat, operacionet, ditëqëndrimet në dhomat e shtrimit.
Kontrolli i klinikave private bëhet nga inspektorët e shëndetësisë për kushtet, licencat dhe mjekët që operojnë në këto veprimtari private. Por këta inspektorë nuk kanë asnjë rrjet të dhënash ku të saktësohet e gjithë puna dhe të gjitha ndërhyrjet e kryera në klinikat private.
Në fillim, Ministria e Shëndetësisë kontrollon dhe licencon spitalin apo qendrën shëndetësore, klinikën, në bazë të dokumentacionit të dorëzuar, procedurave, vërtetimeve të mjekëve dhe stafit mjekësor për veprimtarinë që ata kryejnë, për degën e studimit, specialitetin dhe gjithçka tjetër që lidhet me çeljen e një aktiviteti shëndetësor privat.
Statistikat për çdo intervent, vizitë, trajtim, për numrin e pacientëve të trajtuar, të shtruar dhe detaje të tjera të lidhura me statistika dhe të dhëna zotërohen vetëm nga institucionet shëndetësore. Me akreditimin e institucioneve shëndetësore dhe rankimin e tyre, proces që pritet të nisë nga ky vit, do të ketë një situatë më të qartë të shërbimeve që ofrohen si në shtet ashtu edhe në privat, ndërkohë që pritet që nga kontrollet dhe inspektimet sasiore e cilësore të hartohet dhe rrjeti me të dhëna e statistika për secilin shërbim shëndetësor, pavijon që trajton pacientë, si në publik ashtu edhe në privat.
Institucionet publike, spitalet rajonale dhe qendrat më të mëdha spitalore çdo vit publikojnë të dhëna dhe zotërojnë statistika për proceset dhe veprimtaritë e secilit shërbim. Statistikat e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, “Koço Gliozheni”, “Mbretëresha Geraldinë”, “Shefqet Ndroqi”, raportohen çdo vit, ndërkohë që mjekë nga këto spitale periodikisht paraqesin në konferenca dhe aktivitete shkencore abstrakte, për të cilat përdorin në objektin e studimeve të tyre kartelat mjekësore të pacientëve dhe të dhënat statistikore të spitaleve.
Të vetmet statistika që kanë munguar dhe mungojnë prej vitesh në Shqipëri janë vdekjet dhe dëmtimet e pacientëve si pasojë e gabimeve mjekësore.