Ish-deputeti Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd për Kosovën, duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe ukrainasve dhe një foto të realizuar në parlamentin e Ukrainës. Majko ka publikuar një foto nga parlamenti ukrainas, të realizuar sipas tij në përvjetorin e agresionit rus, duke shpjeguar se qëllimi i saj ishte të tregonte pritjen që iu bë flamurit shqiptar nga të pranishmit. Sipas tij, në atë ditë nuk kishte shumë delegacione të huaja, pasi kishte pasur informacione se godina e parlamentit në Kiev mund të goditej.

Duke iu referuar qëndrimit të fundit të Zelenskyt në Beograd, Majko e cilëson atë si një deklarim “konservativ”, por shprehet i bindur se kjo nuk ka ndryshuar perceptimin e ukrainasve për shqiptarët. Majko thekson se marrëdhëniet mes dy popujve, sipas tij, nuk përcaktohen vetëm nga diplomacia zyrtare.

“Kjo është një foto në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus! Ajo është një foto e realizuar nga salla, për të treguar kënaqësinë me të cilën u prit flamuri shqiptar nga të pranishmit! Nuk kishte shumë delegacione të huaja pasi kishin qarkulluar lajme se mund të goditej, në këtë ditë, godina e parlamentit në Kiev! Pavarësisht deklarimit ‘konservativ’ të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre! Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga ‘protokollet e diplomacisë’! Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase! Lufta, për shqiptarët, i ndan miqtë nga armiqtë Diplomacia është quajtur me të drejtë arti i ‘gënjeshtrës’ për arsye shtetërore! Miqtë e mij ukrainas më kanë komunikuar të shqetësuar për ngjarjen e fundit! ‘Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje’ ishte shprehja që pëlqeva më shumë, në anglishten me aksentin ukrainas!…Sigurisht!”– shkruan Majko.