Seanca e sotme parlamentare, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë, ka zgjatur vetëm 25 minuta.
Salla u përfshi nga tensionet dhe debatet pasi kryeministri Edi Rama i dha fjalën ministres të krijuar me inteligjencë artificiale, “Diellës”. Pas miratimit me 82 vota të programit qeverisës dhe kabinetit të ri, tensionet në sallën e Kuvendit u përshkallëzuan. Opozita reagoi me ironi, duke përdorur slogane të epokës komuniste për të sulmuar mënyrën se si mazhoranca po e drejton vendin.
“Parti Enver jemi gati kurdoherë”, ishte thirrja ironike që u dëgjua në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët e opozitës protestuan për mënyrën e miratimit pa debat të programit dhe kabinetit të ri.
Për të shprehur revoltën, deputetët opozitarë hodhën rregulloren e Kuvendit drejt foltores dhe drejt vendeve ku ishin të ulur ministrat dhe kryeministri Edi Rama.