Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat e reja për kujdesin alternativ të fëmijëve në familje, duke përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë familjet kujdestare dhe mënyrën se si do të bëhet vlerësimi dhe përzgjedhja.
Vendimi përcakton dy forma kryesore të kujdesit alternativ: kujdesin alternativ profesional, të ofruar nga familje kujdestare të trajnuara, të vlerësuara dhe të miratuara; kujdesin alternativ vullnetar, që mund të ofrohet nga të afërmit e fëmijës, persona nga rrethi i ngushtë i familjes ose familje pa lidhje familjare që shprehin vullnetin për të ofruar kujdes.
Për t’u bërë familje kujdestare, aplikantët duhet të plotësojnë një sërë kushtesh që lidhen me gjendjen shëndetësore, ekonomike, sociale dhe familjare. Në vlerësim do të merren parasysh edhe kushtet e banimit, të ardhurat dhe aftësia për t’u kujdesur dhe edukuar fëmijën.
Një tjetër kriter është situata ligjore e familjes. Personat që aplikojnë nuk duhet të jenë nën hetim ose ndjekje penale, ndërsa përjashtohen edhe familjet me anëtarë të dënuar për vepra të caktuara, veçanërisht për dhunë, abuzim, shfrytëzim apo vepra që cenojnë sigurinë e fëmijëve.
Aplikimi do të kryhet online përmes portalit “e-Albania”. Pas dorëzimit të kërkesës, shërbimet sociale të bashkisë do të kontrollojnë dokumentet brenda 7 ditëve. Më pas nis vlerësimi i plotë, i cili përfshin intervista me familjarët, vizita në banesë, vlerësime sociale dhe psikologjike, dokumentacion mjekësor dhe kontrolle të të dhënave gjyqësore.
Procesi i vlerësimit parashikohet të përfundojë brenda 30 ditëve, por në raste të veçanta mund të shtyhet edhe për 15 ditë të tjera. Familjet që marrin vlerësim pozitiv duhet të kryejnë edhe trajnimin përkatës përpara se të regjistrohen si familje kujdestare.
Për menaxhimin e rasteve, në çdo bashki do të funksionojë një Komision Shumëdisiplinar për Kujdesin Alternativ në Familje. Ky organ do të shqyrtojë aplikimet e familjeve, do të përcaktojë formën e kujdesit dhe do të merret me rastet e fëmijëve që kanë nevojë për vendosje në një familje kujdestare.
Në rastet e zakonshme, dosja e fëmijës duhet të shqyrtohet brenda 5 ditëve. Kur bëhet fjalë për situata emergjente, procedura duhet të nisë menjëherë dhe të përfundojë jo më vonë se 24 orë nga referimi i rastit.
VKM-ja përcakton edhe rastet kur shërbimi duhet të ndërpritet. Kjo mund të ndodhë nëse familja kujdestare neglizhon fëmijën, ushtron dhunë ose abuzim, përdor ndëshkim fizik apo presion psikologjik, cenon privatësinë dhe dinjitetin e tij, pengon kontaktet e lejuara me familjen biologjike ose e shfrytëzon fëmijën për përfitime ekonomike.
Kujdesi alternativ mund të përfundojë edhe kur fëmija rikthehet te familja biologjike, kalon në një formë tjetër kujdesi, mbush moshën 18 vjeç ose kur gjykata vendos ndryshimin apo përfundimin e masës së mbrojtjes.
Familjet që janë aktualisht të miratuara si familje kujdestare do t’i nënshtrohen një rishikimi të profilit dhe dokumentacionit brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
