Dita e të moshuarve 


Ervin Bushati


Më 1 tetor, mirënjohja është mesazhi kryesor për më të moshuarit; këtë gjeneratë të sakrificës. Ky brez ka punuar shumë, por ka sakrifikuar edhe më shumë se breza të tjerë në historinë e Shqipërisë. Në mes luftës dhe diktaturës, ata punuan dhe ndërtuan shoqërinë tonë. Respekti është më e pakta për të na ndërgjegjësuar, mbi rolin e këtyre “heronjve vërtet të heshtur”, që dhanë më shumë se sa sot marrin nga shoqëria jonë.


Sot rrimë bashkë për të festuar ditën e të moshuarve, të atyre njerëzve që ndër vite përcollën te ne traditat, përvojën dhe përkushtimin. Të gjithë të moshuarit, por edhe i gjithë komuniteti ynë qytetar ka shumë nevojë për një harmoni të rifituar që të shtohet si vlerë në kryeqytetin tonë të larmishëm në breza, origjina, tradita dhe vlera.


Sot, është krenari që të rrimë përkrah atyre njerëzve, të parët e të cilëve dhe ata vetë, këtu në qendër të Tiranës, në njësinë nr. 8, na përcollën ngrohtësinë e qytetarisë dhe traditës së familjes, të mikpritjes tiranase për miqtë.


Sot është momenti që me përulësi të nderojmë ata njerëz që modestisht na dhanë kaq shumë si prindër e gjyshër, nga këtu ku shpërndahet qytetari e mirëkuptim në çdo pjesë të trupit të këtij qyteti, kryeqendër e Shqipërisë.


Pak rëndësi ka se kush i organizon këto aktivitete, sepse sot vlen që të kujtohemi zemërgjerësisht për ta çdo ditë, sepse ju kemi një borxh të madh pune e ideali, përkushtimi e sakrifice, si dhe gjithë kontributin që kanë dhënë e japin në shoqëri.