Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka publikuar pamje nga takimi me mbështetësit demokratë në Dibër, ku një ditë më parë u prit nga simpatizantë të partisë. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji shprehu mirënjohjen për pritjen dhe mbështetjen e demokratëve dibranë, ndërsa theksoi se kërkesa për ndryshim ndihet në të gjithë vendin.
“Mirënjohje për demokratët e Dibrës. Në çdo cep të Shqipërisë kërkohet ndryshim!”, shkruan Salianji, duke shoqëruar mesazhin me pamje nga takimi.
Dje nga Dibra, Salianji komentoi zhvillimet brenda Partisë Demokratike teksa tha se nuk mund të ecë përpara duke u mbyllur dhe duke sulmuar aleatët ndërkombëtarë.
“Gara është nëpër sheshe, nëpër salla, demokratët janë në këmbë. PD nuk mposhtet, nuk uzurpohet dhe nuk ecën dot mbrapsht. Dua t’u përgjigjem atyre që thonë a ke figura që të mbështesin, më i votuari i Tiranës, Elbasanit, Kukësit, Durrësit, Shkodrës. Figura janë ata që përzgjedhin demokratët, jo një lidership që ka uzurpuar PD për interesa personale”, deklaroi ai.
Salianji u shpreh se prej pesë muajsh ka zhvilluar takime në të gjithë Shqipërinë me demokratë dhe qytetarë, duke theksuar se ndryshimi në PD është e vetmja rrugë për ta sjellë partinë sërish në pushtet.
