AKSHI ka qenë një ndër institucionet më të diskutuara së fundmi në Shqipëri pas hetimeve të SPAK. Kreu i qeverisë pranoi dorëheqjen e Mirlinda Karçanajt dhe emëroi në krye të këtij institucioni, Ilgi Tafën.

Në Top Story, ish-kreu i Krimeve të Rënda, Eugen Beci ngriti pyetjen se përse në rastin në fjalë nuk u vendos masa e “pezullimit nga detyra”. Avokati shtoi se drejtësia do të duhet të vërtetojë nëse është shkelur barazia në tendera.

“Në Shqipëri këto dy muajt e fundit po shohim diçka interesante. Unë dhe avokat Haxhia jemi në një çështje ku gjykata na ka ndaluar publikimin e akteve dhe të vendimit, prandaj rrimë në procedura dhe parime normale. Këtu po ndodh diçka tjetër, pavarësisht se na ndalohet të bëjmë publike të dhënat e një dosjeje hetimore, dosjet paralele të nxehta në situatën ku jemi, nuk del asnjë presje, asnjë fjalë. Aty zbatohet sekreti hetimor, këtej nuk zbatohet, megjithatë do e çojmë deri në fund si zbatues të ligjit. Duke qenë zbatues të ligjit, do flasim në koncept procedural.

Ne, duke zbatuar rregullin dhe detyrimin për sekretin hetimor, vijojmë të jemi korrekt dhe shfrytëzojmë ato që janë bërë publike jo prej nesh. AKSHI është në një situatë kaosi apo jo? Në datën 10 drejtoresha, për shkak të një hetimi nga SPAK, ka dhënë dorëheqje. Vetë gjykata e shkallës së parë, që caktoi masën e sigurisë, elementin kryesor kishte që mund të dëmtojë provat. Sot ky kusht ka rënë. Gjykata e Apelit, duke mos dhënë të dhëna të tjera të rëndësishme, por vetëm argumentin e saj që thotë se nuk ka asnjë rrezik largimi, është familjare dhe ka një karrierë të spikatur. Del në proporcionalitet masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ me masat e tjera. Mund të ishte masa legjendare ‘pezullimi nga detyra’. Nuk po ndodh as ajo, mos po presin vendimin e Parlamentit.

Duke ecur në këtë frymë, fakti që prokuroria e posaçme ka nisur një hetim të bazuar në deklarime, në akte dhe dokumente, në një pajisje kompjuterike që ka realizuar video-regjistrimin, duhet përcaktuar kur kemi shkelje të barazisë në tendera, prokuroria do çojë në gjykatë prova konkrete nëse është shkelur apo jo ligji.

Kemi të bëjmë me një video-regjistrim që është marrë nga një pajisje kompjuterike, kërkon transkriptim të saktë për të mos lënë vend për keqinterpretim. Kjo është detyrë e hetimit, ato biseda a bëjnë vepër penale, a kanë lidhje me dosje konkrete të tenderimit në AKSHI. Duhet kujdes përveç transkriptimit, duhet edhe ta përputhë me provat e tjera. Drejtuesja nuk duhet të mbajë përgjegjësi vetëm nëse është drejtuesja, por në rast se ka shkelur ligjin e prokurimeve publike dhe anëtarët e komisionit duhet të jenë të përgjegjshëm për atë veprim që kanë kryer”-u shpreh Beci.