Zonja e Parë e Amerikës, Mishel Obama ka mbajtur një fjalim emocional në çeljen e Konventës së Partisë Demokratike në SHBA, duke mbështetur bashkëshortin e saj për një mandat tjetër katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.
Duke mbyllur natën e parë të konventës së Partisë Demokratike në Karolinën Veriore, ajo e vlerësoi presidentin Barak Obama si një “njeri të cilit mund t’i besojmë” për ringjalljen e ekonomisë së dobët të vendit. “Obama e di se çfarë është ëndrra amerikane, ai është mishërim i saj, sepse e ka jetuar vetë”, – u shpreh Mishel Obama.
Obama është duke u sfiduar në zgjedhjet e 6 nëntorit nga Mit Romney, ish-guvernatori i Masaçusetsit, i cili pranoi nominimin e Partisë Republikane javën e kaluar. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se Obama mban një epërsi të lehtë ndaj Romnit, ndërsa ndodhen shumë pranë njeri-tjetrit në renditje.
Në Konventën Demokratike treditore Barak Obama dhe Xho Bajden formalisht do të rinominohen për kandidat për president dhe nënpresident të partisë. Obama dhe Bajden do t’i drejtohen Konventës të enjten.
5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)