Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua me armë zjarri rreth një orë para mesnatës së së premtes, pranë një hoteli në periferi të Tiranës.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, viktima sapo kishte dalë nga hoteli ku kishte qëndruar vetëm pak minuta për të takuar një mik. Pasi u përshëndetën dhe dolën së bashku jashtë, mbi Kolën u qëllua disa herë nga një person ende i paidentifikuar.
Autori ndodhej në një motor të zi të parkuar pranë vendngjarjes dhe ka hapur zjarr pa shkaktuar dëme të tjera, megjithëse shoku i viktimës ndodhej shumë pranë tij. Hetuesit dyshojnë se kemi të bëjmë me një autor profesionist, për shkak të saktësisë së ekzekutimit dhe mungesës së pasojave të tjera.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është rindërtuar e gjithë dinamika e ngjarjes, por ende nuk ka një pistë të qartë sa i përket motivit të vrasjes. Kristian Kola punonte në fushën e ndërtimit, së bashku me të atin, me të cilin zotëronin një firmë ndërtimi.
Aktualisht, policia po heton edhe pistën e një bashkëpunëtori të mundshëm të autorëve, i cili dyshohet se ka ndjekur lëvizjet e viktimës dhe i ka informuar autorët për momentin e duhur të sulmit.
Zona ku ndodhi ngjarja ishte e frekuentuar në atë orë, dhe policia ka marrë në pyetje dhjetëra kalimtarë e persona që ndodheshin aty pranë. Po ashtu janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar motorin dhe autorët e dyshuar.