Ditët kalojnë, por misteri që rrethon Floresha Prengun, nënën 35-vjeçare me origjinë shqiptare që u zhduk nga Trento, Itali më 22 tetor, mbetet i pazgjidhur.
Deri më tani, nuk ka asnjë gjurmë të saj, pavarësisht se të gjitha prefekturat italiane janë njoftuar dhe mediat kanë raportuar për rastin. Familja, që jeton mes Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, është në ankth të vazhdueshëm, në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet.
“Si familje, kërkojmë që të na konfirmohet një kronologji e saktë e situatës dhe ngjarjeve,” thanë të afërmit e Floreshës.
Ata shprehen mirënjohës ndaj policisë për punën e bërë deri më tani, por njëkohësisht të dëshpëruar për mungesën e informacionit dhe heshtjen e telefonit të saj, i cili prej ditësh është i fikur.
“Flora meriton të gjendet, ajo meriton të vërtetën,” shtuan të afërmit, duke nënvizuar se nuk besojnë që ajo është larguar me dëshirë.
Një detaj që mund të ndihmojë në identifikimin e saj, sipas familjarëve, është fakti që Floresha ka sy blu të ndritshëm, por njëra qepallë është pak më e mbyllur se tjetra, një veçori që mund të jetë e rëndësishme për hetuesit.
Familja e 35-vjeçares, e cila është nënë e dy vajzave, ka kërkuar gjithashtu që të verifikohet çdo pamje sigurie që mund të ndihmojë në rindërtimin e lëvizjeve të saj pas datës 22 tetor. Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e autoriteteve italiane, ndërsa familja apelon: “Kërkojmë vetëm që Flora të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë.”

