Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka liruar nga paraburgimi 4 efektivët e policisë të arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore lidhur me ngjarjen e rëndë në Dobraç, ku u vranë katër persona.
Efektivët e forcave “Shqiponja”, inspektor Blerim Kurmekaj 45 vjeç, Viktor Logu 33 vjeç me detyrë patrullë e përgjithshme e forcës “Shqiponja” dhe inspektor Julian Sterkaj si dhe Marte Martini, përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë trupë shërbimi u lanë me masën “detyrim paraqitje” nga gjykata e shkallës së parë.
Ndërkohë, është zbardhur dhe dëshmia e tyre para togave të zeza në lidhje me ngjarjen. Ata kanë thënë se nuk e dinë nëse personi i tretë është Ibrahim Lici, pasi nuk e njohin këtë të fundit.
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”, mësohet të kenë thënë katër policët.