Komuniteti lokal në Viotia të Greqisë është i tronditur, pas gjetjes së një trupi të karbonizuar në një makinë të djegur. Mjeti u gjet në një vend të izoluar nga një gjuetar që rastësisht po kalonte nëpër zonë, në një rrugë rurale në gjendje të keqe.
Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje zbuluan se brenda mjetit kishte një person të karbonizuar, ndërsa brenda u gjetën edhe pranga, një element që forcon mundësinë e një akti kriminal.
Automjeti është transferuar në laboratorët mjeko-ligjorë, ku do të mblidhen të dhëna për të identifikuar ADN-në dhe gjurmët e gishtërinjve, ndërsa po bëhen përpjekje për të identifikuar trupin, një proces që është veçanërisht i vështirë për shkak të shkallës së karbonizimit. Hetimet për identifikimin e trupit fokusohen te një burrë me origjinë shqiptare, që ishte zhdukur nga Athina kohët e fundit dhe ishte bërë deklarim për zhdukjen e tij.
Sipas policisë, makina dhe trupi i pajetë qëndruan në vendngjarje për rreth 48-orë përpara se të gjendeshin. Policia nuk po përjashton asnjë skenar, megjithatë, provat fillestare tregojnë se ky ishte një veprim i planifikuar mirë, me autorët që zgjodhën një vend veçanërisht të izoluar, ndoshta duke e njohur shumë mirë zonën.


