Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa kakomentuar zjarrin masiv që përfshiu tregun e rrobave te “5 Maji” shkaku i të cilit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Në një prononcim për Ora News, eksperti, ka lëshuar kritika të forta mbi sigurinë në zonë, por dhe punën e forcave të shërbimit zjarrfikës por dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Sipas tij grupi hetimor nuk duhet të përcaktojë si shkak energjinë elektrike, por hetimi duhet të shkojë tek përgjegjësit, duke përmendur ndër të tjera Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Energjisë.

“Nga disa të dhëna që ka, mendohet se kjo është shkaktuar për shkak të energjisë elektrike. Nëse flasim për një treg të tillë, përmasat e tij patjetër që nuk lënë jashtë përgjegjësive edhe institucionet e tjera. Pra, duhet të ketë dhe një hetim për shkakun e zjarrit, jo vetëm për pasojat, por edhe për përgjegjësitë.

Këtu nënkuptoj Bashkinë e Tiranës, sepse pyetja e parë profesionale që të vjen menjëherë është: Këto tregje janë të certifikuara? A kanë një planimetri të caktuar për ushtrim aktiviteti? Dihet që sistemet e ndriçimit në tregje të tilla duhet të jenë të certifikuara dhe të kontrolluara herë pas here: A ka një kontroll të tillë nga institucionet që varen nga Ministria e Energjitikës? Quhet ISHTI dhe nëse po, a ka një miratim nga ky institucion për këtë treg?! Sepse të gjitha këto mund të jenë shkaqe që kanë shkaktuar pasoja, dhe këto pasoja janë të mëdha në dëmet materiale tek bizneset, por edhe dëm i madh ekologjik sa i pirjet përhapjes së zjarrit dhe tymit në zonë.

Dhe tjetra, në këto tregje ekzistojnë shumë rrezikshmëri e lartë sa i përket çështjes së zjarreve. Dhe këtu kam parasysh afërsinë e subjekteve sendet që ato përmbajnë dhe magazinimet e tyre. Pastaj vijmë tek pika tjetër e elementëve të sigurisë, në rastet ku rka zjarre: A ka pika të daljeve të emergjencës? Si mund të bëhet evakuimi i njerëzve që gjenden brenda tregut? Nëse hetimi për ngjarjen e djeshme do të shkojë tek shkaku, atëherë ai është i paplotë. Pasi duhen gjetur edhe arsyet që çuan në atë zjarr të atyre përmasave.

Përse nuk është parandaluar një zjarr i tillë jo vetëm në atë treg, por në të gjitha tregjet në Bashkinë e Tiranës? Kemi të njëjtin model, pasi e pamë edhe në tregun e Durrësit! A nuk shërbeu rasti i Durrësit si alarm për tregjet e tjera në Shqipëri dhe sigurinë e tyre? Pra, kjo është një ngjarje që duhet të zbresë në përgjegjësi që nga lart deri tek inspektorët, të cilët i kanë të dhënat dhe nuk i kanë referuar problematikat që ka. Nëse nuk e hetojmë këtë lloj përgjegjësie, atëherë duhet të presim rastin e radhës”, u shpreh ndër të tjera eksperti Fatjon Softa.