Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, në Tepelenë.
Mësohet se policia ka shpallur në kërkim një person që dyshohet se është autori i krimit. Personi i shpallur në kërkim me iniciale G.B, njihet si përdorues i lëndëve narkotike dhe dyshohet se është fshehur në zonën mes Gusmarit dhe Nivicës.
Paraprakisht raportohet se biznesmeni italian kishte dalë për gjah, së bashku me disa persona të tjerë, por misteri qëndron në faktin se asnjë prej tyre nuk ndodhej me të në momentin që u gjet i vdekur. Ata janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje për të zbuluar më shumë rreth ngjarjes.
Sipas informacionit zyrtar, shtetasi italian kishte rreth 25 vite që jetonte në Shqipëri, në lagjen “Laprakë” të Tiranës, dhe ishte ortak në një fabrikë tullash në kryeqytet.