Teksa kanë kaluar thuajse dy ditë, ende nuk ka asnjë person të arrestuar apo të dyshuar si autor i masakrës së Dobraçit, që la 3 persona të vdekur dhe një të plagosur në gjendje të rëndë.

Madje mësohet se policia ende nuk ka asnjë pistë konkrete ku ka fokusuar hetimet, teksa ditën e djeshme, grupi hetimor është rikthyer edhe njëherë në vendin e ngjarjes, ka rimarrë pamje të tjera, ka kërkuar dëshmitarë të tjerë, ndërkohë që përgjatë natës së pas ngjarjes janë shoqëruar shumë persona, mes të cilëve burra nga fisi i Bajrajve.

Policia dhe as prokuroria nuk kanë mundur të shkojnë tek asnjë person i dyshuar, duke theksuar se atentatorët kanë qenë të maskuar e për pasojë nuk mund të identifikohen me tipare fizike.

Pritet që armët e gjetura në mjetin e viktimave të sjellin ndonjë detaj në lidhje me zbulimin të paktën të shkaqeve të ngjarjes, pasi pretendohet se në mjetin e tyre ka qenë një person i tretë. Policia ka shpërndarë për mediat foton e një të riu, që ende nuk dihet nëse ka qenë kalimtar rasti apo në makinën e Hamza Licit e të Arlind Bushatit.

Por ajo që u mësua ditën e djeshme ishte fakti tronditës, që familja e Mustafa Licit nuk ka pranuar të hapë dyert e mortit për të birin e vet, por kanë vendosur ta përcjellin vetëm me dhimbjen e tyre. Më i vogli i familjes së tij, vetëm 23 vjeç, u vra me breshëri kallashnikovësh që dolën nga një automjet luksoz, i cili më pas u gjet i djegur në lagjen Golem të Grudës. Edhe pse Policia ende nuk e ka publikuar mekanizmin se si ka ndodhur krimi që terrorizoi jo vetëm Shkodrën, bëhet me dije se një tjetër mjet ka qenë në vendngjarje në ndihmë të atentatorëve, mjet që iu ka prerë rrugën djemve që udhëtonin me “Benz”-in me targa kroate, që drejtohej nga 23-vjeçari Hamza Lici.

Në këtë atentat humbi jetën dhe një grua e pafajshme, Flutura Basha, e cila ndodhej në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, së bashku me bashkëshortin e saj. Edhe ky i fundit, Bashkim Basha, ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Çifti ishte duke udhëtuar me motor, kur u përplasën nga makina ku gjendeshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati drejt të cilëve po qëllohej me breshëri automatiku.

Gruaja humbi jetën në vend nga përplasja e fortë, ndërsa burri ndodhet ende në spital, në gjendje kritike Çifti Basha u mësua se kanë tre fëmijë të rritur dhe në momentin që u përballën me pritën gjakësore, ata po udhëtonin në drejtim të vajzës dhe me vete kishin edhe një çantë me fruta për fëmijën e tyre.