Xhuli Meçaj, motra e të dhunuarit Altin Meçaj ka folur për mediat, ku ka bërë thirrje, që kjo telenovelë të mbarojë dhe drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Reagimi i saj vjen pas publikimit gjatë ditës së djeshme të disa mesazheve në rrjete sociale, të cilat, sipas familjes Meçaj, janë të manipuluara dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

Ajo thekson se familja e saj këmbëngul në hetim të plotë dhe transparent të ngjarjes, duke shtuar se askush nuk duhet të paragjykohet përpara vendimit të drejtësisë. E motra thotë se familja Meçaj ruan respekt maksimal për familjen Lamaj, pavarësisht situatës së rëndë të krijuar.

Sipas saj, dhuna ndaj një të moshuari është e pafalshme dhe e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, por familja nuk kërkon hakmarrje dhe as përshkallëzim të konfliktit.

“Mjaft më me këtë telenovelë. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për disfatat që vajza ka pasur në jetë, por nuk mund të lejojmë që ato të kthehen në trauma për familjen tonë. Ne nuk e dëshirojmë hakmarrjen. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës,” është shprehur Meçaj.