Spitali “Nënë Tereza”


Pas largimeve në qendrën spitalore, kërkohet shtim i personelit, sidomos për turnet e treta


Lorina Mixha


Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” ndodhet në riorganizim e sipër. Pas largimit të rreth 200 punonjësve të shëndetësisë, mjekë, infermierë, laborantë e sanitarë, mjekët dhe kryeinfermierët e shërbimeve kryesore kanë bërë kërkesë për punësimin e infermierëve të rinj. Shërbimet dhe pavijonet e spitalit “Nënë Tereza” pas largimit të 200 punonjësve kanë pasur vakume, sidomos për sa i takon organizimit të punës dhe kujdesit shëndetësor gjatë turneve të dyta dhe të treta.


Përgjegjësit e pavijoneve kanë kërkuar nga administrata spitalore mundësinë e rishqyrtimit për çeljen e një sezoni aplikimesh për punësime të reja, të paktën për të përmbushur detyrat e shërbimit pa u sforcuar nga punonjësit aktualë, por edhe për një shërbim më efektiv ndaj pacientit.


Kërkohen infermierë për shërbimet kryesore, por në mënyrë të veçantë në shërbimet me fluksin më të lartë të pacientëve, si urgjenca, reanimacion, por edhe në shërbimin e Pediatrisë.


Largimet                                                 


Pas largimit nga puna të 200 bluzave të bardha në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka pasur probleme me organizimin e punës në shërbime dhe pavijone.


Duke qenë se puna që kryenin më parë punonjësit e tjerë shpërndahet mes punonjësve aktualë në kohën e ndërrimit të turneve, por edhe në fundjavë, krijohet vakum dhe konfuzion për ndarjen e punëve. Në mungesë të punësimeve të reja në rang mjekësh apo specialistësh, drejtuesit e shërbimeve, mjekë apo kryeinfermierë, kanë qenë të mendimit për të kërkuar shtesë personeli infermieror. Drejtoria e qendrës spitalore në fillim të këtij muaji ka kontaktuar me 200 punonjësit, të cilët konsideroheshin si një shtesë e panevojshme për spitalin, për të ndërprerë marrëdhëniet me institucionin, për shkak të mungesës së fondeve për pagesat e tyre mujore.


Ndërkohë që drejtoria do të shqyrtojë mundësitë për punësimin e infermierëve, por edhe mjekëve, në ato shërbime ku ka mbingarkesë dhe fluks të pacientëve. Punësimet e reja në rastin e urgjencës së pediatrisë, janë përkrahur dhe nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili pas takimit me mjekët ka deklaruar se do të bëhet dyfishimi i mjekëve që punojnë në urgjencën e këtij pavijoni.


Punësimet


Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” pritet të çelen aplikimet për punësimet e reja për rreth 100 mjekë të specialiteteve të ndryshme. Po ashtu edhe në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive pritet të hapen procedurat për punësimet e reja. Bëhet fjalë për 100 mjekë, të cilët do të shpërndahen në këto dy qendra spitalore, pas një ndryshimi në organigramën e dy spitaleve, miratuar pak kohë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Sakaq, specialitetet më të kërkuara janë: mjek i përgjithshëm, pediatër, infeksionist, kardiolog, reanimator, alergolog, anestezist. Spitali universitar i sëmundjeve të mushkërive pritet të mbyllë të gjitha punimet për të nisur aktivitetin edhe si qendër shëndetësore rajonale për qytetin e Tiranës.