Një rast shqetësues është bërë publik së fundmi në qytetin e Vlorës, ku një mjeke 82-vjeçare, e cila ka kontribuar për dekada në shërbimin ndaj pacientëve, dyshohet se po përballet me mungesë të kujdesit të duhur shëndetësor. Sipas familjarëve, ajo ndodhet në gjendje të rënduar dhe po përjeton e vetme sfidat e moshës së tretë, ndërsa shërbimet institucionale nuk i janë përgjigjur nevojave të saj.

Denoncimi është bërë nga djali i saj, Altin Gjini, përmes një reagimi në rrjetet sociale. Ai shprehet se, sipas pretendimeve të tij, spitali ka refuzuar ofrimin e trajtimit për nënën e tij. Në mungesë të asistencës profesionale, ai tregon se është detyruar të kujdeset vetë për të, ndonëse nuk ka formim mjekësor, duke u mbështetur në udhëzime dhe informacione të siguruara online.

“Gjithë k*rvave të politikës së çdo ngjyre, i drejtohem me urimin më shpirtëror: ju dënoftë Zoti atje ku dhimbja t’jua shqyejë shpirtin!! 57 vite pune kontribut në mjekësi si profesioniste e diplomuar nëna ime, (matura e parë e 26 infermierëve të parë në Shqipëri të shkollës mjekësore dyvjeçare të Vlorës) e paralizuar vite dhe nuk e pranon spitali për shkak të moshës së thyer për një mjekim të specializuar ndaj një plage të frikshme në kokë, mbase fatale që po i degradohet, për të ma besuar mua pozicionin e mjekut kirurg me anën e Chat GPT!! Mosha e tretë nuk kërkon mëshirë o plehra, por dinjitet dhe është detyrë e çdo shteti ta garantojë këtë dinjitet ndaj atyre që i shërbyen me besnikëri njerëzve!! Moskujdesi ndaj tyre nuk është varfëri burimesh, por varfëri vlerash që e masakroi përfundimisht moralisht këtë vend prostitutash”, shkruan djali i mjekes.