Toma Taulanti, 41-vjeçari shqiptar i cilësuar prej autoriteteve italiane si një person me rrezikshmëri të lartë, është arratisur mbrëmjen e djeshme nga burgu i sigurisë së lartë të Operas në Milano. Ngjarja ka ndodhur gjatë ndërrimit të turnit të rojeve, ndërsa hetimet paraprake sugjerojnë se arratisja ka qenë e mirëplanifikuar.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Taulanti arriti të priste hekurat e qelisë dhe të largohej pa u vënë re, pavarësisht masave të forta të sigurisë. Ai ishte duke vuajtur një dënim që zgjaste deri në vitin 2048 për grabitje dhe vjedhje.

Pas arratisjes, autoritetet italiane kanë aktivizuar një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë rajonin e Lombardisë, duke ngritur postblloqe, forcuar kontrollet kufitare dhe duke kontrolluar zona rurale e industriale.

Kjo nuk është hera e parë që Taulanti i shpëton burgjeve të sigurisë së lartë. Ai më herët është arratisur nga burgu i Parmës së bashku me Frokaj Vamentin, si edhe nga një burg në Belgjikë, duke e kthyer emrin e tij në një shqetësim të përhershëm për autoritetet evropiane.

Në vitin 2013, pas një tjetër arratisjeje nga Parma, ai ishte shpallur në kërkim për 40 ditë nga policia italiane, ndërkohë që në realitet ishte arrestuar prej kohësh në Belgjikë. Prokuroria e Parmës atëherë e cilësoi situatën si “paradoksale”, duke kërkuar shpjegime nga Ministritë e Brendshme dhe të Drejtësisë.

I lindur më 9 qershor 1984 në Shqipëri, Taulanti njihet për aftësinë e tij për t’u zhdukur pa gjurmë dhe për t’i shpëtuar ndjekjes së forcave të rendit, duke e bërë atë një prej personave më të kërkuar dhe më të rrezikshëm për autoritetet italiane dhe belge.