Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Muriqan. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 13:25, ku mjeti tip ‘Golf ‘, me targa AA 518 AL, me drejtues shtetasin Emirjan Qehaja, 27 vjeç, banues në Shkodër është përplasur me një motoçikletë tip ‘Lifan’, me targa SH 612 A me drejtues shtetasin Agron Shtogu, 35 vjeç, banues në Shkodër, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Në motoçikletë udhëtonte dhe bashkëshortja e viktimës shtetasja B.Shtogu 37 vjeçe, së bashku me fëmijën e tyre S.Shtogu, 3 vjeç, të cilët janë transportuar menjëherë me autoambulancë në spitalin Rajonal Shkodër.
Fëmija ndodhet në gjendje të rendë për jetën. Ndërsa shtetasja B.Sh., ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme. Veprimet po kryhen nga grupi hetimor për të zbardhur shkakun e aksidentit.
19 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)