Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë ditën e sotme, në një konferencë për mediat.

Berisha u ka bërë thirrje të gjitha degëve të PD që të mobilizohen dhe të organizojnë demonstrata dhe protesta të dhunshme para ambasadave shqiptare në shtetet e Evropës. Berisha madje u ka kërkuar që këto protesta të jenë të dhunshme dhe të rrezikshme.

“Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme. Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.

Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.

Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.

Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale. Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral. Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë.”- tha Berisha.