Përplasjet gjatë protestës së 25 tetorit janë zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të forcave të Policisë së Shtetit.
Pas përshkallëzimit të situatës, efektivët kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e sheshit, duke kufizuar lëvizjen në këtë pjesë të kryeqytetit. Në zonë janë dislokuar forca të shumta policore, të cilat kanë rrethuar hapësirën në kuadër të masave të sigurisë.
Hedhja e molotovëve shënon një tjetër episod tensioni në protestën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, e cila gjatë ditës është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes demonstruesve dhe policisë.
Më herët, situata ishte tensionuar edhe para Kryeministrisë, ku efektivët ndërhynë për shpërndarjen e protestuesve, kryen shoqërime dhe përdorën spraj djegës.
Protesta e sotme shënon ditën e 13-të të lëvizjes studentore. Pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
