Me 21 plumba u shkrehën nga ana e atentatorëve në drejtim të Bujar Çelës, vëllait të personit më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çelës.


Në fotot e siguruara nga Gazeta “Shqip”, të nxjerra nga kamerat e sigurisë së lokalit, rezulton se Çela ka qenë duke pirë kafe me një person tjetër dhe në momentin kur dy persona kanë zbritur nga makina dhe e kanë qëlluar, duke goditur vetëm atë dhe jo personin tjetër, duke mos e dëmtuar fare.


Në lokal ka pasur disa kamera sigurie që kanë fiksuar momentin e vrasjes dhe lëvizjen e autorëve të ngjarjes.


Në këto foto të shkëputura nga kamerat e sigurisë dhe që disponohen nga Gazeta “Shqip” dalin qartë dy momente, i pari ku Çela po gjerb një kafe dhe tjetri i shtrirë në tokë i pajetë.


Mësohet se ekzekutorët nuk kanë qenë të  veshur me uniforma policie dhe se atentatorët kanë përdorur armë tip pistoletë me silenciator, për të mos bërë zhurmë. Ata  janë larguar drejt fshatit Murras në aksin Elbasan-Peqin, rreth 8 km nga vendi i ngjarjes.


Grupi hetimor ka ngritur dyshimet se vrasja e 50-vjeçarit Bujar Çela është bërë për ti dhënë mesazh të shumëkërkuarit nga drejtësia Talo Çelës, i cili është vëllai i viktimës.


49-vjeçari, Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.