Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Si rezultat i monitorimeve të kryera gjatë një jave, 20 drejtues mjetesh janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 5422 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Sipas Policisë, masat janë ndarë si më poshtë:

  • 83 për parakalime të gabuara;
  • 3513 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar;
  • 1458 për ndalim ose qëndrim të gabuar;
  • 82 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
  • 88 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur;
  • 198 për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Policia Rrugore njofton se kontrollet në rrugët e qarkut të Durrësit do të vijojnë, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës.