Sot u mbajt në kryeqytet dita e 30-të e protestës qytetare, e cila nisi si një revoltë kundër një projekti në Zvnërnec, ndërsa tani kërkesat dhe shqetësimet janë më të gjera.
Në monologun e saj hapës në ‘Top Story’, autorja dhe moderatorja Grida Duma është shprehur se të gjitha shqetësimet që artikulohen në shesh nuk janë vetëm çështje finance dhe përfitimi, por vizion për të ardhmen dhe për të kuptuar çfarë duan shqiptarët për veten e tyre, ndërsa i kërkojnë llogari me mllef dhe drejtësi një klase politike që i ka zhgënjyer.
“Në bulevardin kryesor protesta sfidon këdo me, le të themi, kryefjalën e patriotizmit, ambientalizmit dhe historicizmit, do të thonin disa, sepse ndërsa i drejtohen një klase politike të establishmentit të vjetër, pas Zvërnecit kanë lindur kauza të tjera, të cilat janë 5, 13, 27 pika, që të gjitha kanë legjitimitetin e vet në mënyrën se si adresohen te ata që duhet të japin llogari para shqiptarëve, por ndërkohë shqetësimi i të gjithë atyre që po ndjekin suksesin ose jo të lëvizjes qytetare është me një drejtim: a do të sjellë kjo më shumë dështim dhe zhgënjim të lëvizjeve qytetare nëse nuk do të jetë e suksesshme, apo më shumë zhvillim, ekonomi, pengesë, harresë, nëse në fund kjo lëvizje e madhe, e bukur dhe frymëzuese për të gjithë ata që kanë realizuar 2-3 gjëra që nuk ishin realizuar vite më parë në qeverisjen e PS dhe Ramës, do të jetë ose jo kjo një fitore për çështjen shqiptare që buron zhvillim, ekonomi, pasuri për shqiptarët.
Këto të dyja nuk janë qasje ekonomike, por politike. Këto të dyja janë diskutuar fort në tavolina me mendësi që e kanë syrin nga Perëndimi dhe zhvillimi, ndërsa janë plot profesorë dhe profesionistë të cilët, ndërsa mbështesin protestën dhe kërkimin ndaj qeverisë, dinë prej vitesh që këto diskutime dhe debate kanë lindur gjithmonë se si do të zhvillohet Shqipëria, duke bërë pyetje të mëdha. Cilat janë pyetjet e mëdha: me forcat tona ka pasur një histori të gjatë të lënë pas, nuk e bëjmë dot Shqipërinë të vetëm. Diskutimet e mëdha janë që a duhet një investitor i madh, i huaj, me potencial të madh të zhvillimit të markës, të jetë një pjesë e flamujve që Shqipëria përfaqëson në botë përkundrejt vogëlsisë së vet që ka, pavarësisht mrekullive që i ndjejmë ne në burime. A e kemi diskutuar pafund se si ka mundësi që kjo klasë politike nuk po arrin të hapë dyert për investime strategjike që mbajnë logo ndërkombëtare, që do të na mbronin nga shumë agjenda shkatërruese ekonomike? A e kemi thënë pafund që, përveç mikpritjes shqiptare, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë nevojë për marka të mëdha që shikojnë interesin e tyre në Shqipëri dhe për këtë arsye interesi i Shqipërisë është i mbrojtur edhe nga interesat e më të mëdhenjve. Dhe kështu ka qenë historia nga shtetformimi e deri sot. Si do ta ndajmë që ajo që kërkojmë më të vërtetë të mos na e keqpërdorin nëpërmjet çfarëdo reagimi për të shkuar në shkatërrim sa i përket opsioneve dhe mundësive.
Thembra e Akilit ka qenë projekti dhe investimi në Zvërnec, por ky do të jetë një diskutim i madh politik sa i përket gjithë rrugës që do të vijojë në këtë qeverisje, si do të sillet qeveria shqiptare, shoqëria, për të kuptuar se cili është limiti për të ndarë çfarë duhet zhvilluar dhe çfarë duhet mbrojtur. Çfarë duhet mirëpritur në Shqipëri nga investitorët mëdhenj dhe nga ato që në disa pankarta kanë dalë në disa momente jo të mira, duke etiketuar presidentin e SHBA-së, çështjet e Izraelit dhe Palestinës, ndërkohë që Shqipëria, nga një vend që mirëpriste investimet e huaja, tashmë i paragjykon. Të gjitha këto nuk janë vetëm çështje finance dhe përfitimi, por vizion për të ardhmen dhe për të kuptuar çfarë duan shqiptarët për veten e tyre, ndërsa i kërkojnë llogari me mllef dhe drejtësi një klase politike që i ka zhgënjyer”, u shpreh Duma.
Top Channel
