Vlerësimi 


Agjencia e vlerësimeve të kreditimit, “Moody”, zhvlerësoi 16 banka spanjolle ditën e premte, për shkak të krizës së borxheve dhe recesionit në të cilin është përfshirë vendi iberik. Midis bankave që pësuan zhvlerësime ishte edhe gjiganti “Santander”.

Veprimi i “Moody” vjen në javën në të cilën aksionet e “Bankia”-s pësuan një rënie prej 14%. Banka e rrezikuar nga falimentimi ka humbur tashmë gjysmën e vlerës në treg. Frika e humbjeve nga bankat spanjolle tashmë kanë mbërthyer të gjithë tregun europian.

Për dhjetë nga 16 bankat e zhvlerësuara, “Moody” ofroi perspektivë negative, çka do të thotë se zhvlerësime të reja mund të ndodhin në të ardhmen e afërt. Një normë kreditimi më e ulët tregon se një institucion është më pak i qëndrueshëm financiarisht. Ai shoqërohet me një shtrenjtim të menjëhershëm të huamarrjes për institucionin ose shtetin në fjalë. Ndërkaq, vlera e euros dhe çmimet e aksioneve në botë kanë rënë pas frikës së krizës globale ekonomike, që lidhet me krizën greke të borxhit dhe problemet në bankat spanjolle. Aksionet në tregjet aziatike dhe europiane, të premten dukej se po shkonin drejt rënies më të madhe javore që nga nëntori i vitit të kaluar.