Kryeministri Edi Rama ka debatuar mëngjesin e sotëm me një qytetar, gjatë rubrikës së tij “Sy m’Sy”.
Qytetari e ka kritikuar se Partia Socialiste nuk ka një program të mirëfilltë elektoral në këto zgjedhje dhe njerëzit po e ndjekin nga pas, sipas tij, si “turma të eksituara”. Rama është përgjigjur se programi që forca e tij ofron është një program qeverisës dhe i detajuar në çdo aspekt dhe se PS, nuk po kërkon të vijë në pushtet, por do të vazhdojë punët e nisura.
Komentuesi: More të mjerë, ku është debate konstruktiv, ku janë argumentet, ku është program, çfarë janë këto turma të eksituara
Edi Rama: Ti nuk ke pse përbuz apo përqesh ata që me dëshirën e tyre marrin pjesë në takimet e mëdha publike të partive politike. Sa i përket programit, mjafton të duash ta gjesh dhe e gjen, mjafton të kesh nerva ta lexosh deri në fund. Program ynë është program qeverisës, është i detajuar në çdo aspekt, ne nuk jemi parti që duam të vijmë në qeveri, që nuk dimë fare çfarë është qeverisja. Ne jemi forcë qeverisëse, kemi padiskutim programin tonë, kemi programin tonë, që është më i qarti dhe më bindësi, se ndryshe nuk do të ishim në tryezën e negociatave me BE. Është testi më i padiskutueshëm, se BE është një makineri e tërë që në hapjen e derës bazohet në një hulumtim të detajuar.


