Policia në Durrës ka zbuluar një apartament që dyshohet se shfrytëzohej për veprimtari prostitucioni.
Gjatë operacionit, u arrestua organizatorja e dyshuar së bashku me dy shtetase nga Kolumbia. Po ashtu, tre persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për përfshirje në të njëjtën veprimtari.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe mënyrën e funksionimit të aktivitetit të dyshuar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, së bashku me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 18”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë 1-mujore.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases kolumbiane M. L., 26 vjeçe.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për ushtrim prostitucioni shtetaset A. G., 33 vjeçe dhe B. A., 26 vjeçe, të dyja shtetase kolumbiane.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 pasaporta të shtetaseve të arrestuara, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 1 leje drejtimi dhe 3 celularë.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasja M. L., prej një muaji, kishte marrë një apartament me qira në lagjen nr. 1, Durrës, të cilin e kishte përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit nga dy shtetase të tjera kolumbiane.
Gjithashtu, kjo shtetase ka ushtruar edhe vetë aktivitetin e prostitucionit në këtë ambient.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, thuhet në njoftimin e policisë.
