Bekim Agolli e Rubin Murrja janë dy personat të cilët dyshohet se kanë dhunuar ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Agën. Dhuna ndaj këtij të fundit, dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës që ka mbajtur Aga, pasi kur ishte shef i Qarkullimit kishte gjobitur Agollin e Murrjan.
NJOFTIMI I POLICISË: Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit B.A., 30 vjeç; R.M., 40 vjeç, banues në Dibër. Këta shtetas me datë 17.11.2022, rreth orës 12.⁰⁰, në qytetin e Peshkopisë , për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin R.A., 59 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Robert Aga, një prej të pandehurve për dosjen 184 u dhunua pasditen e djeshme. Ngjarja ndodhi në dyert e Gjykatës së Dibrës, vetëm pak minuta para se të niste seanca e radhës gjyqësore për këtë dosje. Lajmi u bë me dije për autoritetet nga Hasan Hoti, njëri prej të pandehurve. Ai u shfaq me vonesë në sallë dhe tha se kjo gjë kishte ndodhur për shkak se kishte dërguar në spital të pandehurin tjetër të këtij procesi, Robert Agën.
Lajmi për dhunimin e Agës u konfirmua për BIRN nga prokurorja e gatshme, Xhoana Mehmeti, e cila tha se kishte marrë informacion paraprak nga policia për rrahjen e tij.
Ish-shefi i policisë, Robert Aga dhe ish-administratori i njësisë së Lurës, Hasan Hoti përballen me akuzat për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Dibër në vitin 2016. Procesi gjyqësor ndaj Hotit dhe Agës ka filluar në shkurt të vitit 2021, por është bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh për shkak të mungesës së avokatëve.