Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Jurgen, Kevin dhe Hysen Nezën të cilët morën peng dhe dhunuan biznesmenin nga Divjaka Florian Sula.
Mediat raportojnë se të arrestuarit nuk kanë folur në sallën e gjyqit. Ndërsa avokati i tyre ka pretenduar se ata nuk e kanë marrë peng Sulën, por ky i fundit i kishte atyre një borxh 60 mijë euro dhe se e morën me automjet për t’u sqaruar lidhur me borxhin.
Sipas avokatit, tre të arrestuarit kur kanë konstatuar se Florian Sula ka qenë në pamundësi financiare për t’i kompensuar shumën e parave e kanë lënë të lirë të largohej.
Tre autorët, të cilët rezultojnë me precedentë të mëparshëm, kanë vëzhguar lëvizjet e 32-vjeçarit dhe më pas kanë realizuar marrjen peng të tij pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku i riu sapo kishte dalë nga një lokal.
