Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre personat e akuzuar për morjen peng dhe dhunimin e Ilir Topçiut. Të akuzuarit, Alti Nallbati, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, do të qëndrojnë në burg për 40 ditë, periudhë gjatë së cilës prokuroria do të kryejë hetimet për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë.
Prokuroria kërkoi dhe gjykata pranoi masën e “arrest në burg”, duke e konsideruar të nevojshme për zhvillimin e hetimeve. Të tre të akuzuarit u arrestuan pas incidentit të dhunshëm që ndodhi në Devoll, ku ata morën me forcë Topçiun, i cili ishte nën arrest shtëpie. Ata e thirrën për të dalë në oborr dhe më pas e dhunuan në ambientet e një biznesi.
Në seancën gjyqësore, pala mbrojtëse kërkoi një masë sigurimi më të lehtë, si “arrestin në shtëpi”, por kjo kërkesë u refuzua. Avokatët e të akuzuarve kërkuan gjithashtu të vërtetohet se bëhej fjalë për një “plagosje të lehtë” dhe jo për një krim më të rëndë, siç është “heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa pranojnë faktin që klientët e tyre e kanë goditur.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje, pasi autorët dhe i dëmtuari kanë qenë miq, dhe tashmë pritet që hetimet të zbardhin plotësisht motivet dhe rrethanat e dhunës së ushtruar ndaj Topçiut. Gjatë periudhës 40-ditore, prokuroria do të zhvillojë hetime të plota për këtë ngjarje.
