Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj, ka komentuar mbi dosjen hetimore të klientit të tij, e cila u tërhoq nga ambientet e SPAK me një karrocë marketi në janar të këtij viti. Tahiraj ka shpjeguar për mediat se ato dosje, të marra nga gjykata, nuk përmbajnë asnjë material apo rezultat që mund të ndihmojë hetimin e Safet Bajrit.

Sipas avokatit, dosjet përfshijnë materiale të marra nga Prokuroria e Posaçme që përfshijnë procedime të vjetra, disa prej të cilave janë tashmë të pushuara, vendime të mosfillimit, ndarje dhe bashkim procedimesh. Ai theksoi se këto materiale nuk japin asnjë rezultat për hetimin e aktual për klientin e tij, dhe për këtë arsye, ai ka vendosur të drejtohet në gjykatë për të kërkuar pavlefshmërinë e dosjeve.

“Janë një sërë materialesh të marra nga Prokuroria e Posaçme, janë materiale ndër vite, procedime të vjetra, procedime të hapura të pushuara, vendime fillimi, vendime mosfillimi, ndarje procedimesh, bashkim procedimesh, por nisur nga forma dhe përmbajtja, nuk japin rezultat për hetimin. Ndaj do t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e tyre. Nuk ka prova që lidhen me klientin tim”, është shprehur avokati Tahiraj.

Safet Bajri, së bashku me Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon, akuzohen nga SPAK për vrasjen e Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahim Licit. Vrasja e Fatbardh Licit dyshohet të ketë lidhje me një hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci, të cilët u ekzekutuan në makinë më 15 korrik 2018, ndërsa fëmija 3-vjeçar i tyre shpëtoi.

SPAK ka ngritur akuza për “Vrasje me paramendim”, përfshirë bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe akuzën për “grup të strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit. Po ashtu, Eria Ago, ish-e dashura e Safet Bajrit, akuzohet për rolin e saj në udhëheqjen e një prej makinave të përdorura gjatë krimit.

Hetimet dhe akuzat vazhdojnë, ndërsa mbetet për t’u parë zhvillimi i mëtejshëm i çështjes në gjykatë.