Inspektori i Policisë, Marsel Bicja, ka marrë një shpërblim të veçantë për veprimin e tij heroik gjatë protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i dorëzoi atij një “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” për shpëtimin e një protestuesi që ishte i rrezikuar nga një shpërthim bombe molotov.
Në motivacionin për vlerësimin, Proda theksoi se Bicja shfaqi humanizëm dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm, duke ndërhyrë menjëherë për të shpëtuar jetën e qytetarit të rrezikuar, duke e vënë sigurinë e jetës njerëzore si prioritet. Ky akt dëshmoi përkushtimin e Policisë së Shtetit për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatës, e cila u zhvillua gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtori Ilir Proda shprehu mirënjohjen për veprimin e Inspektorit Bicja, duke theksuar se veprimi i tij ishte një shembull i humanizmit dhe vendosmërisë që Policia e Shtetit ka për mbrojtjen e jetës dhe rendit publik.
Po ashtu, Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi këtë veprim të veçantë, duke shtuar se Bicja nuk kishte nevojë për urdhra për të ndërhyrë, por reagimi i tij i menjëhershëm ishte udhëzuar nga uniforma dhe ndjenja e tij njerëzore.
