Lista e barnave me rimbursim është përditësuar dhe, pasi mori miratimin në Këshillin e Ministrave, sapo ka hyrë në fuqi dhe ka nisur të zbatohet në të gjitha farmacitë dhe spitalet në vend. Përveç barnave ekzistuese, lista e re e barnave të rimbursuara të këtij viti është pasuruar me 55 barna alternativa tregtare të reja.

Janë 35 barna alternativa të reja që janë shtuar në rrjetin e hapur farmaceutik. Dhe po kështu, edhe në farmacitë e spitaleve në të gjithë vendin janë shtuar 20 lloje barnash alternativa të reja tregtare, me të cilat do të trajtohen pacientët e shtruar nëpër spitale. Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë 27 barna të reja, principe aktive, të cilat nuk kanë qenë më parë në tregun farmaceutik shqiptar.

Lista e re përfshin në total 35 barna (principe aktive), 27 të reja dhe 8 ekzistuese. Barnat e reja që janë shtuar për pacientët i përkasin patologjive më të shpeshta dhe me ndikim të madh në shëndetin e qytetarëve. Një vend të rëndësishëm në listën e barnave me rimbursim zënë barnat për trajtimin e sëmundjeve onkologjike e kardiake, ku një pjesë e mirë i përkasin barnave inovative që gjenden edhe në tregun farmaceutik të vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Lista e barnave me rimbursim në vendin tonë përmban në total 1,356 barna alternativa tregtare./ Top Channel