Egjipt
Presidenti hoqi dorë nga fuqitë diktatoriale, por vijon planin për referendum
Presidenti i Egjiptit, Mohammed Morsi, anuloi një dekret të mëparshëm të tij, ku i jepte vetes fuqi të mëdha, dekret që shkaktoi protesta të shumta e të dhunshme dhe që zhyti vendin në kaos. Por tërheqja e tij konsiderohet një gjysmëfitore për opozitën laike dhe liberale, pasi plani i Morsit është të vijojë me zhvillimin e referendumit për miratimin e projektkushtetutës së vendit.
Disa nga opozita thanë se tërheqja e Morsit nga dekreti i shumëdebatuar nuk mjafton dhe se anulimi i referendumit është një kusht kyç. Morsi i dha vetes të drejtë të përshpejtojë hartimin dhe miratimin e Kushtetutës dhe i vendosi vendimet e tij mbi fuqitë e gjykatave për t’i rrëzuar. Ai thotë se e bëri këtë gjë për të mbrojtur revolucionin, por kundërshtarët thonë se po vepron si një diktator i ri.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti Mahmoud Mekki, tha se në rast se referendumi e hedh poshtë Kushtetutën e propozuar, atëherë zgjedhje të reja do të zhvillohen për një asamble të re kushtetuese.
Ushtria e Egjiptit ka ndërtuar ndërkohë rrethime të larta me beton dhe hekur për të ndaluar protestuesit t’i afrohen pallatit presidencial, i cili është vënë nën shënjestrën e protestave të opozitës. Ushtria ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që Egjipti të dalë jashtë kontrollit. dhe ka bërë thirrje për bisedime për të zgjidhur konfliktin. Mbështetësit e presidentit thonë se Morsi nuk kishte rrugë tjetër veçse t’i nxirrte jashtë loje gjykatësit, të cilët janë trashëgimi e sundimit shumëvjeçar të Hosni Mubarak.