Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mesditën e sotme në një lokal në qytetin e Lezhës, ku dy persona kanë mbetur të lënduar pas një përplasjeje fizike.

Sipas informacioneve paraprake, të plagosur kanë mbetur Nikolin Marku dhe Gergj Marku, të dy 41 vjeç dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një debati verbal, kur Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka, së bashku me djalin e tij Kevin Ndoka, rreth 20 vjeç, u kanë kërkuar dy kushërinjve të ulin zërin.

Debati ka eskaluar më pas në dhunë fizike, duke sjellë plagosjen e dy personave. Ata kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas kanë bërë kallëzim në polici, ku kanë deklaruar se autorët kanë qenë të armatosur gjatë konfliktit.

Policia bën me dije se Gëzim Ndoka dhe djali i tij janë shpallur në kërkim, ndërsa një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.