Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës nga ambientet e paraburgimit të Durrësit, ku ndodhet në pritje të përfundimit të procedurave ligjore. Votimi u krye në orarin e caktuar nga administrata e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara për votuesit në paraburgim.

Veliaj shfrytëzoi këtë të drejtë kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa pak ditë më parë kishte bërë edhe një apel publik drejtuar qytetarëve shqiptarë që të mbështesin Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. Në deklaratën e tij, ai theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë një moment vendimtar për të garantuar vazhdimësinë e reformave dhe zhvillimit të vendit.

“Mos e bëni këtë votë për inat të askujt, as kundër Saliut dhe as kundër atyre partive që kanë dalë nga barku i Partisë Demokratike. Kjo votë duhet të jetë për punën që kemi bërë, për shpresën që kemi rikthyer dhe për transformimin që kemi nisur”, tha Veliaj në një mesazh drejtuar qytetarëve.

Ai nënvizoi se Tirana është një shembull i zhvillimit që mund të përhapet në gjithë Shqipërinë, nëse qytetarët zgjedhin të ecin përpara dhe të mos kthehen pas në tranzicionin e pafund politik. “Vota e 11 majit është një votë për të tashmen që na bën krenarë dhe për të ardhmen europiane që meritojmë”, theksoi Veliaj.

Në fund të mesazhit të tij, kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje qytetarëve të shkojnë masivisht në votime dhe të votojnë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, duke e cilësuar këtë zgjedhje si një votë për vazhdimësinë e projekteve dhe progresit në të gjithë vendin.