Një ngjarje tragjike ka ndodhur në kalanë e Beratit, ku sherri për një kal ka përfunduar me vrasjen e 52-vjeçarit Keli Hoxha. Sipas informacioneve të Policisë, autor i krimit është Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha), 63 vjeç, i cili ka qëlluar për vdekje Kelin pas një konflikti të shkaktuar nga prekje e kalit.

“Mos e prek kalin se është i acaruar sot” ka thënë autori duke paralajmëruar viktimën ndërkaq ky i fundit nuk është bindur.

Dëshmitarët dhe policia raportojnë se më pas, Keli e ka sharë dhe ofenduar autorin, duke e provokuar atë.

Në një moment tensioni, i nxitur nga sharjet, Kristo Mema ka nxjerrë thikën e fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar viktimën me thikë. Pas krimit, ai ka ikur dhe është fshehur në një shpellë të kalasë, duke u munduar të shmangte arrestimin. Ai ka lidhur kalin në kasollen e tij dhe ka marrë ushqim për t’u fshehur gjatë kohës që policia e kërkonte.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë dhënë një version tjetër të ngjarjes, duke pohuar se sherri ka filluar vetëm kur Keli ka prekur kalin me dorë dhe se ai nuk e ka sharë dhe ofenduar autorin. Ata thonë se, pas paralajmërimit të Kristos, Keli ka thënë “s’ka asgjë të keqe” dhe ngjarja ka përfunduar në një vrasje të papritur.

Autoritetet janë angazhuar në hetime për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar drejtësi për viktimën.