Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me debatet për reformën territoriale dhe qëndrimin e disa deputetëve socialistë që kanë kundërshtuar projektligjin.

Koçeku deklaroi se deputetët e Partisë Socialiste që kanë dalë kundër reformës nuk mund të cilësohen si “rebelë”, duke e drejtuar kritikën e saj ndaj vetë forcës politike, për të cilën tha se është larguar nga nevojat e qytetarëve.

Sipas saj, kundërshtimi i projektligjit nga deputetët socialistë duhet parë si përmbushje e detyrës së tyre, veçanërisht në raport me komunitetet periferike.

“Deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale duhet ta dinë se nuk janë ata rebelët. Partia e tyre është rebele, që i ka kthyer shpinën qytetarëve”, u shpreh Koçeku.

Ajo kërkoi gjithashtu që komunitetet periferike të mos lihen pas dore, duke vënë theksin tek nevojat e tyre dhe përfaqësimi politik.

“Komunitetet periferike janë komunitete në nevojë. Mos i braktisni ato, siç i ka braktisur partia juaj!”, deklaroi deputetja.