Pas 4 orësh diskutimesh, Këshilli i Mandateve ka vendosur se deputetët që janë anëtarë do mund ta marrin me vete USB-në me provat ndaj Belinda Ballukut, që ka dorëzuar SPAK.

Avokati i Belinda Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, me këtë kanë rënë dakord edhe deputetët e mazhorancës. Ndërkohë kreu i SPAK, Klodian Braho nuk vendosi një afat për se sa kohë i duhet vënë në dispozicion avokatit të përgatitet. Kujtojmë se u mësua që brenda USB-së ndodhen 10 mijë faqe me prova dhe argumente për caktimi ne masës “Arrest me burg” për Ballukun.

Ndërkohë janë zbardhur dhe diskutimet brenda mbledhjes. Deputeti i PD, Gent Strazimiri pyeti prokurorin e çështjes, Dritan Prençi, në cilësinë e prokurorit të çështjes: “Duke patur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon sepse nuk jep dorëheqjen madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?”

Prençi iu përgjigj se afati mund të jetë 3-5 ditë. Po e të njëjtit mendim ishte edhe prokurorja tjetër, Dorina Bejko.

“Kur u bë kjo drejtësia e SPAK-u, e donit ju ndërsa ne kishim frikë… Ne ende sot kemi problemet tona me SPAK, që janë publike, ju, me gojën e Edi Ramës vazhdoni thoni ça të kërkojë SPAK, do ia japim pa kushte…Mos më detyroni të njoftoj Edi Ramën që po i shkelni urdhrin duke vonuar SPAK, se e dini ju ç’ju gjen…?”, ka thënë më pas Strazimiri, drejtuar mazhorancës.