Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar GJKKO me të njëjtën kërkesë si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Meta ka kërkuar që të mos futet në kafaz metalik gjatë seanca gjyqësore.
Në dokumentin e depozituar në Gjykatën e Posaçme përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani, Meta kërkon që të jetë në sallën e gjyqit pranë mbrojtësve të tij pa barriera fizike, dhe në përputhje me të drejtën e mbrojtjes efektive. Sipas kreut të PL vendosja në kafaz metalik në gjykatë përbën në vetvete trajtim poshtërues dhe çnjerëzor. Deri në heqjen e kësaj mase, në kërkesë thuhet se nuk do të zhvillojnë seancat gjyqësore.
“I pandehuri është paraqitur në seancat gjyqësore të kësaj çështjeje në një kabinë xhami / kafaz metalik, i izoluar fizikisht dhe vizualisht nga pjesa tjetër e sallës. Vendosja e të pandehurit në kafaz metalik në gjykatë përbën në vetvete trajtim poshtërues dhe çnjerëzor. Kjo praktikë është konsideruar shkelje absolute, të palejueshme në asnjë rrethanë.
Edhe kabinat e xhamit konsiderohen problematike nga GJEDNJ, pasi kufizojnë të drejtën e mbrojtjes, izolimi vizual dhe fizik dëmton dinjitetin dhe ndikojnë në perceptimin e pafajësisë. Praktika e vendosjes së të pandehurve në kafaze hekuri ose në kabina të mbyllura me xham në sallat e gjyqit në Shqipëri përbën një formë trajtimi degraduese dhe poshtërues, e cila bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) si dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ),’-arsyetohet në kërkesën e dorëzuar në GJKKO.
