Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur të martën në lagjen “Hajri Çakërri” të Vlorës, ku si pasojë e një konflikti fizik mes dy personave, mbeti i vdekur Armando Meshau.

Sherri për pronën në Vlorë i mori jetën 55-vjeçarit Armando Meshau. Sipas informacioneve, theksohet se viktima dhe autori Rei Meta kanë dalë nga një qendër noterie dhe më pas janë futur në qendrën e internetit, që dyshohet se do të printonin dokumentet. Më tej bisedimet kanë agravuar. Sipas deklaratave të autorit, viktima e ka ofenduar dhe më pas Rei Meta e ka goditur me grushte.

“Edhe viktima edhe autori së bashku kanë ecur në afërsi të gjykatës dhe kanë hyrë ne qendrën e internetit. Viktima i ka thënë se duhet të printonin një material, pasi kanë hyrë brenda kanë folur dhe debatuar për vendin dhe pjesën e printimit të dokumentit. Duket se viktima nuk kishte dokumentin me vete dhe këtu ka nisur konflikti. Në momentin që kanë qenë duke folur, viktima ka ngritur zërin dhe autori i është kundërpërgjigjur; ‘mos më ngri zërin’ dhe më pas situata ka agravuar.

Duket se USB apo ndoshta dokumenti mungonte, dhe kjo ka sjellë…. Kanë mbërritur nga një zyrë noteri në këtë qendër dhe viktima i ka thënë autorit se nëpërmjet USB do t’i mundësonte dokumentin”, raportohet per mediat.

Mësohet se Meta ka deklaruar në polici se nuk ka pasur motiv për ta vrarë 55-vjeçarin, teksa në qendrën e internetit janë takuar rastësisht, pasi të dy do të printonin disa dokumente. Sipas tij, vdekja e Meshaut ishte aksidentale.

Policia ka pyetur dëshmitarë okularë të ngjarjes, por edhe të afërm të viktimës dhe autorit të ngjarjes. Hetimet janë përqendruar kryesisht për të vërtetuar dhe mbi ato që ka deklaruar 33-vjeçari Meta, nëse sherri nisi për shkak të një mosmarrëveshje për pronësinë e një apartamenti të një pallati të ndërtuar nga viktima. Autori është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Seiti.