Çapjat të zhytur në hasmëri me grupin Çela, kishin dyshime se Dumani ishte paguar ti eliminojë me antitank. Kjo ngjarje duket se u përdor nga Florenc Çapja dhe Bledar Muça, me qëllim për të takuar Dumanin. Dumani u thirr në një takim sqarues. Ndërmjetës ishin Elvis Çaushllari i njohur si ‘Vis Korçari’ dhe Eljo Bitri.

Takimi sqarues përfundoi me një kontratë vrasjeje me pagesë. Shënjestra ishte Sokol Sanxhaktari. Dhëndri i ish kryebashkiakut të ndjerë Qazim Sejdini. Sanxhaktari, ishte një prej njerëzve më të afërt të Suel Çelës aso kohe.

“Kur shkova aty, pashë njerëz me automatik në dorë, thashë unë pse, ne kemi ardhur si miq këtu apo si armiq se nuk mora vesh. Edhe i thashë atij, ore se mos na hajë njeri në besë këtu ne, ‘jo e lali ç’ke ti, ça do të hajnë n’besë, ke ardhur me mua këtu’. Hajt të besoj ty tani unë, u bë puna, erdha deri këtu unë……. hyj brenda unë, mirëmbrëma çuna, mirëmbrëma i fola”

Ndonëse ai shkoi atje për t’u sqaruar, Dumani iu ofrua një kontratë 200 mijë euro për kokën e Sanxhaktarit si fillim.Lista ishte e gjatë me njerëzit e Suel Çelës në shënjestër…

“’Ti je shok i mirë, më tha Bledi, Bled Muça’, po duam të na ndihmosh, se kemi halle të mëdha. Ça hallesh ke ti, ti mbarojmë ne, çfarë do qyteti. Ti na mbaro këtu, se këtu na kanë vënë në kurriz shtetin Çelajt. Pra, bëhej fjalë për Suel Çelën. Atë nuk e kapim dot për momentin. Po ti do na ndihmosh të heqim disa krahë të atij. Një nga këto ishte Sokol Sanxhaktari.”

Pas këtij takimi ata i dhënë dorën njëri-tjetrit, dhe Dumani nisi studimet në terren. Edhe pse mori informacion nga miku i tij Festim Qoli për vendodhjen e Sanxhaktarit, Dumani e neglizhoi këtë punë.

“Ishte koha që duhet të isha më i angazhuar për ngjarjet e Erjon Alibejt, sa me Çapjat. Me thënë të drejtën edhe nuk kisha qejf të merresha me ata, sepse historia kishte nisur se ata nuk jepnin pagesat, ishin vrarë për punë pagesash, edhe nuk doja që edhe vet të përplasesha me ata. Përderisa unë nuk kisha punë me ata”

Ditën kur Sokol Sanxhaktari vrau shokun e tij Florjan Lamçja, Nuredin Dumani e mbante atë në vëzhgim.

“Atë natë që kishte qenë aty ai, po të kishim rënë dakord, po të më kishin dhënë lekët ata mua, që atë natë kishte për të ndodhur, para se të bënte atë që bëri ai…”

Atë natë, Sanxhaktari kreu vetë një vrasje nën efektet e alkolit dhe përfundoi në burg. Ishte fati, që i shpëtoi jetën pikërisht mbrëmjen kur i mori jetën shokut të tij.